Çka është dëmtimi i dëgjimit?

Humbja e dëgjimit nënkupton që keni ndjesi të zvogëluar ndaj zërave të cilat dëgjohen normal. Lloji dhe shkalla e dëmtimit të dëgjimit mund të jenë të ndryshëm dhe në të shumtën e rasteve mund të zgjidhet.

Përse është i rëndësishëm dëgjimi?

Dëgjimi për ne është i rëndësishëm që të jetojmë të plotësuar, duke na dhënë një burim të madh informacionesh.Këto informacione përfaqësojnë lidhjen mes nesh dhe botës rreth nesh.

Si funksionon dëgjimi?

Duke pas parasysh madhësinë e tij të vogël, veshi është një organ kompleks. Duke punuar si filtër i zërit, secilin zë që e dëgjojmë, veshi e kthen në impuls elektrik që arrinë deri në tru.

Veshi përbëhet nga 3 pjesë:

  1.  veshi i jashtëm ( bula e veshit dhe kanali i dëgjimit)
    mbledh tinguj dhe i përçon nga kanali i dëgjimit deri tek daullja e veshit.
  2.  veshi i mesëm ( membrana e veshit dhe 3 kockëzat e veshit çekiçi, kudhra dhe yzengjia)
    zëri nga veshi i jashtëm shkakton dridhje në membranën e veshit, e cila nëpërmjet kockëzave të  dëgjimit i transmeton në veshin e brendshëm.
  3.  veshi i brendshëm (kërmilli (cochlea) dhe nervi i dëgjimit)

Dridhjet që vijnë nga veshi i mesëm kalojnë kah kërmilli (cochlea)dhe i stimulojnë qelizat e dëgjimit dhe kështu shkaktojnë impulse elektrike, të cilat nëpërmjet nervit të dëgjimit arrijnë deri tek qendra e dëgjimit në tru. 

 

Çka duhet të dini për dëmtimin e dëgjimit?

  • Dëmtimi i dëgjimit mund të paraqitet në të gjitha moshat. Varësisht nga arsyeja, mund të jetë dëmtim i lehtë apo i rëndë, përkohësisht apo i përhershëm.
  • Dëmtimi i dëgjimit shkakton gjendje të padukshme, mirëpo pasojat ndjehen, hutimi i njeriut, izolimi social, dhe ndryshime të tjera tek personi.
  • Humbja e dëgjimit mund të jetë e lindur apo të ndodh gradualisht me kalimin e kohës.
  • Tek të rriturit arsyet e dëmtimit të dëgjimit është mosha dhe ambienti i zhurmshëm. Ndryshimi i dëgjimit i cili ndodh në pleqëri quhet Prezbiakuzija ( pleqëri e shurdhër).Ndodh gradualisht dhe është i përhershëm. Tek të moshuarit dëmtimi i dëgjimit shpesh është e ngatërruar me shenja të demencës.
  • Zhurma  mund të çojë deri në humbje të dëgjimit gradualisht ( prezenca afatgjate në ambiente të zhurmshme) apo befasisht ( Zhurmë e madhe papritmas: gjuajtje, eksploziv, alarm..)
  • Shpesh dëmtimi i dëgjimit përcillet me fishkëllimë në veshë.